Duke folur në një aktivitet për infrastrukturën digjitale, Karakaçi tha se Shqipëria po synon “ndërtimin e një shoqërie Gigabit”, ku qytetarët dhe bizneset të kenë akses në internet me shpejtësi të lartë në të gjithë territorin.
Ai tha se vendi po harmonizon rrjetet e telekomunikacionit me standardet e Bashkimit Europian, duke synuar “ndërtimin e rrjeteve Gigabit me fibër optike deri tek përdoruesi fundor” dhe “mbulim të avancuar 5G”.Në fokus të eventit ishte zhvillimi i infrastrukturës nëntokësore në zonat urbane dhe sistemimi i kabllove ajrore e strukturave të improvizuara, të cilat dëmtojnë pamjen e qyteteve.
Karakaçi tha se kuadri ligjor synon rrjete “më të shpejta, më të sigurta dhe më të qëndrueshme”, ndërsa përmendi parimin “gërmo vetëm një herë” si bazë për uljen e kostove dhe koordinimin e punimeve në infrastrukturë.
Ministria ka përgatitur edhe një ligj të ri për infrastrukturën Gigabit, i cili, sipas Karakaçit, “është në fazën e pritjes së marrjes së no-objection nga Komisioni Europian”. Ai tha se projektligji është prezantuar më 14 maj 2026 me bashkitë dhe është miratuar nga Këshilli Konsultativ për bashkëqeverisjen vendore.




