Ajo ka qenë një nismë e organizuar.
Jo vetëm nga një faktor, por nga disa faktorë të ndryshëm, të cilët prej kohësh janë përgatitur për t’u përballur me qeverinë e Edi Ramës.
Këta faktorë, edhe pse nuk dalin publikisht në plan të parë, dallohen qartë.
Në radhë të parë janë partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht Gjermania, e cila ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë çdo nismë të shoqërisë civile që kundërshton qeverinë e Edi Ramës.
Berlini ka përdorur ndikimin e tij politik dhe institucional për të mbështetur organizatat e shoqërisë civile, duke nxitur reagimin dhe organizimin e lëvizjeve kundërshtuese.
Po ashtu, ndikimi i tij është ndjerë edhe në diplomaci, në media dhe në institucione të tjera.
Megjithatë, ky faktor, sado i rëndësishëm të jetë, nuk mund të ndërtojë organizimin politik të protestës.
Ai nuk mund ta shndërrojë vetë atë në një lëvizje politike që të prodhojë ndryshimin e madh në vend.
Kjo është detyrë e faktorëve shqiptarë.
Dhe ata janë të shumtë.
Me prejardhje, bindje dhe përbërje të ndryshme.
Por të gjithë bashkohen në një pikë:
Largimin e Edi Ramës.
Megjithatë, me kalimin e ditëve ndodhi një zhvillim tjetër.
Në fazën e parë të protestës u aktivizuan grupe që identifikohen me islamin politik dhe me linjën e Erdoganit, duke tentuar ta orientonin protestën drejt axhendës së tyre tradicionale kundër Izraelit.
Por kjo linjë u zbeh shumë shpejt.
Kryesisht si rezultat i ndikimit të faktorëve ndërkombëtarë, të cilët kërkojnë që protesta të ruajë një profil demokratik, qytetar dhe qartësisht perëndimor.
Një lëvizje që, përveç largimit të Edi Ramës, synon të prodhojë edhe një opozitë të re politike.




