Jo çdo njeri është aktivist. Jo çdo artist, influencer, biznesmen apo figurë publike ka detyrimin të reagojë për çdo debat politik. Një shoqëri normale nuk duhet të kërkojë deklarata me detyrim nga kushdo që ka ndjekës.
Por ka momente kur heshtja nuk është më thjesht zgjedhje private.
Një muaj protestë nuk është një debat i zakonshëm në rrjete sociale. Nuk është një zhurmë e ditës. Nuk është një përplasje e vogël mes palësh politike që mund të kalohet me fjalinë: “Nuk merrem me politikë”.
Kur qytetarët dalin për javë të tëra në rrugë, kur flitet për tokën publike, zonat e mbrojtura, ligjet, institucionet, korrupsionin, pushtetin dhe mënyrën si qeveriset vendi, heshtja e njerëzve që jetojnë nga vëmendja e publikut merr tjetër peshë.
Askush nuk detyrohet të flasë.
Por askush nuk mund t’i kërkojë publikut dashuri, ndjekje, bileta, klikime, blerje, duartrokitje dhe besim, ndërsa zhduket pikërisht kur publiku ngrihet për dinjitetin e vet.
Ky muaj ka ndarë shumë gjëra.
Ka treguar kush foli kur ende nuk dihej nëse protesta do të bëhej e madhe.
Ka treguar kush foli vetëm pasi protesta u kthye në trend.
Ka treguar kush u tërhoq sapo presioni u bë më serioz.
Ka treguar kush priti të shihte nga po frynte era.




