Sipas analizës së publikuar, kolumnistët e revistës lënë të hapur mundësinë që qëndrimi i Putinit në pushtet të mos ketë një afat të qartë, nëse trendet aktuale politike dhe ushtarake vazhdojnë.
Në artikull përmenden sulmet e vazhdueshme me dronë nga Ukraina, të cilat sipas Forbes kanë ndikuar në furnizimin me karburant në Krime, duke krijuar radhë të gjata automjetesh dhe probleme logjistike gjatë sezonit turistik. Ura e Kerçit cilësohet si një nga korridoret kyçe të furnizimit dhe një pikë strategjike me rëndësi simbolike dhe operacionale për Rusinë.
Në analizë theksohet se imazhi i luftës ka ndikim të drejtpërdrejtë në stabilitetin politik, pasi kur pasojat bëhen të dukshme për opinionin publik, ato mund të prekin edhe legjitimitetin e pushtetit. Sipas Forbes, kjo mund të sinjalizojë një erozion gradual të besueshmërisë së Putinit.
Artikulli ndalet edhe te tensionet e brendshme brenda elitave ruse, duke cituar deklarata të blogerëve ushtarakë që paralajmërojnë për pakënaqësi dhe rritje të frikës politike në nivelet e larta të shtetit.




