Pamjet tregojnë Ronaldon teksa vendos topin në pikën e bardhë dhe lëviz buzët pak çaste para ekzekutimit. Kjo ka bërë që shumë të interpretojnë se ai ka shqiptuar “Bismillah”, shkurtim i formulës islame “Bismillah ir-Rahman ir-Rahim” (“Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit”), një shprehje që përdoret shpesh nga besimtarët myslimanë përpara një veprimi të rëndësishëm.
Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar dhe as një regjistrim audio të qartë që të vërtetojë se Ronaldo e ka thënë vërtet këtë frazë. Interpretimi bazohet vetëm në lëvizjen e buzëve.
Nga ana tjetër, një pjesë e tifozëve portugezë besojnë se ai në fakt po i jepte kurajë vetes duke përsëritur në portugalisht: “Vais marcar, vais marcar!”, që do të thotë: “Do të shënosh.”
A është konvertuar Cristiano Ronaldo në Islam?
Përgjigjja është jo. Nuk ekziston asnjë provë që Cristiano Ronaldo të ketë ndryshuar besimin e tij fetar. Pretendimet dhe fotografitë që kanë qarkulluar ndër vite në internet, sipas të cilave ai ishte konvertuar në Islam ose kishte marrë pjesë në një ceremoni fetare, janë përgënjeshtruar dhe në shumë raste janë identifikuar si të manipuluara ose të krijuara me inteligjencë artificiale.




